Policia e Korçës ka marrë në mbrojtje familjarët e autorit të vrasjes së 50 vjeçarit Dashnor Osmani. Forca të policisë lokale gjenden pranë banesës ku jeton familja e 42-vjecarit Zamir Topit dhe e dy vëllezërve të tij me qëllim shmangien e ndonjë konflikti të mundshëm pas ngjarjes makabeër të ndodhur pasditen e të martës në qytetin e Korçës.
Burime policore thanë se një patrullë policie do të jetë pranë kësaj banese për disa ditë. Ndërkohë, banorët e fshatit kanë hedhur dritë mbi konfliktin disa-vjeçar mes viktimës dhe autorit të vrasjes. Sipas tyre Dashnor Osmani kishte varrosur disa vite më parë babain ngjitur me varrin e nënës së autorit Zamir Topi.
Por sipas rregullit të fshatit vendi i varreve ndahet në bazë të fiseve. Viktima i ardhur nga Skrapari nuk e njihte këtë rregull dhe pa e ditur kreu varrimin, ndërsa Zamiri i kërkonte zhvarrimin e trupit pasi aty kishte mbajtur vendin për të atin i cili jeton ende.
Përballë kësaj situate mes familjeve ishte rënë dakord që të prisnin 5 vite dhe më pas të bëhej zhvarrosja, por kur afati përfundoi viktima e ka kundërshtuar përsëri këtë gjë çka ka ndezur konfliktin mes tyre. Konflikti përfundoi me vrasjen e Dashnor Osmanit në mes të pazarit të Korçës me sëpatë.





