Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se do të japë dorëheqjen nga posti më 25 ose 26 shtator, duke thënë se nuk dëshiron të hyjë në fushatën për zgjedhjet parlamentare si president i vendit, por si “qytetar i zakonshëm”.
Vuçiç tha se vendimi nuk lidhet me një detyrim ligjor, por me një zgjedhje personale. Sipas tij, menjëherë pas kthimit nga Nju Jorku, ku do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, do të largohet nga posti dhe do t’i bashkohet fushatës elektorale
“Nuk dua të bëj fushatë si President i Republikës. Dua të jem i pari që hyn në garë si një qytetar i zakonshëm”, u shpreh ai, duke shtuar se muajin e fundit të fushatës do të udhëtojë nëpër Serbi me makinën e tij dhe me një kamionçinë të marrë me qira, për t’u takuar me qytetarët.
Deklarata vjen vetëm pak ditë pasi Vuçiç shpërndau Kuvendin e Serbisë dhe shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 25 tetorit. Më 5 shtator, Partia Progresive Serbe e propozoi njëzëri si kandidat për kryeministër dhe bartës të listës zgjedhore, duke konfirmuar se ai do të udhëheqë fushatën e partisë në zgjedhjet e ardhshme.
Prej muajsh, Vuçiç përballet me protestat e studentëve dhe opozitës, të cilët kërkojnë zgjedhje të parakohshme dhe përgjegjësi politike pas tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona. Presidenti serb i ka cilësuar vazhdimisht protestuesit si “bllokues”, ndërsa gjatë muajve të fundit ka folur disa herë për mundësinë e dorëheqjes nga posti para përfundimit të mandatit të tij në vitin 2027, pa përcaktuar një afat konkret.
Nëse e realizon vendimin që njoftoi këtë të premte, Vuçiç do të largohet nga posti rreth një muaj përpara zgjedhjeve parlamentare, duke hyrë zyrtarisht në garë për postin e kryeministrit.
Gjatë konferencës për mediat, presidenti serb tha gjithashtu se në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së do të flasë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Ai u shpreh se bota po kalon një periudhë të pasigurt, me konflikte që po zgjerohen dhe me një rend të ri ndërkombëtar që, sipas tij, ende nuk është konsoliduar.





