Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Policia Bashkiake kanë zhvilluar një aksion në lagjen 24 Maji në Vlorë, ku janë shembur 6 objekte shërbimi, si dhe disa struktura rrethuese të ndërtuara mbi kanalin kullues të Naunkës.
Sipas autoriteteve, këto ndërtime pengonin rrjedhjen e lirë të ujërave dhe krijonin problematika në funksionimin normal të kanalit, veçanërisht gjatë reshjeve të dendura. Ndërhyrja është kryer me qëllim hapjen, pastrimin dhe rikthimin e kanalit në funksion, duke reduktuar rrezikun e bllokimeve dhe përmbytjeve në zonë.
Shembjet kanë vijuar pas ndërhyrjeve të kryera më herët në zonën pranë ish-Tregut të Orizit, ndërsa aksioni pritet të shtrihet edhe në zona të tjera të qytetit.
Autoritetet kanë paralajmëruar se kontrollet dhe ndërhyrjet do të vijojnë edhe në kanalet e tjera kulluese, ku janë evidentuar ndërtime pa leje apo struktura që pengojnë qarkullimin e ujërave.
Synimi është që këto kanale të jenë të pastruara dhe funksionale përpara nisjes së sezonit të reshjeve, me qëllim parandalimin e problematikave dhe minimizimin e rrezikut të përmbytjeve.
/vizionplus.tv





