Kapiteneria e Portit të Durrësit ka refuzuar hyrjen në radën e portit të anijes “Hanuman”, e cila rezulton në listën e mjeteve lundruese të sanksionuara nga Bashkimi Evropian për shkak të transportit të naftës ruse.
“Hanuman” kishte kërkuar të hynte në port për të marrë shërbimet e nevojshme, mes tyre furnizim me karburant, ujë dhe ushqime, si dhe për riparime të mundshme.
Por pas verifikimeve, autoritetet shqiptare kanë konstatuar se ajo ishte subjekt i masave kufizuese të Bashkimit Evropian.
Për këtë arsye, Kapiteneria e Portit të Durrësit nuk i ka dhënë leje për të hyrë në radë dhe anija ka vijuar lundrimin jashtë portit.
Vendimi është marrë më 28 gusht. Anija me flamur të Sierra Leones është identifkuar gjithashtu nga Inteligjenca Ushtarake e Ukrainës si pjesë e të ashquajturës flotë hije ruse.
Sipas të njëjtave të dhëna, në shtator të vitit 2025 anija dyshohet se ka transportuar më shumë se 30 mijë tonë produkte nafte ruse nga porti i Novorossiysk drejt Turqisë, në kundërshtim me regjimin e embargos dhe kufirit të çmimit të vendosur nga G7 dhe Bashkimi Evropian.





