Fluksi i lëvizjeve në pikën kufitare të Kakavijës ka vijuar edhe gjatë ditës së diel, me mijëra qytetarë që po largohen drejt Greqisë pas përfundimit të pushimeve verore në Shqipëri.
Gjatë tri ditëve të fundit, përmes doganës së Kakavijës kanë kaluar në drejtim të Greqisë rreth 20 mijë persona, mes tyre emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në shtetin fqinj.
Bashkatdhetarët kanë shfrytëzuar ditët e fundit të sezonit veror për të qëndruar në vendlindje, ndërsa tashmë kanë nisur kthimin drejt Greqisë për t’iu rikthyer punës dhe angazhimeve të përditshme.
Fluksi i lartë i lëvizjeve është shoqëruar me radhë pritjeje në sportelet e kontrollit të dokumenteve, veçanërisht gjatë fundjavës. Qytetarët kanë pritur në radhë për të përfunduar procedurat e kalimit kufitar.
Autoritetet kufitare vijojnë punën për përballimin e fluksit të lartë, ndërsa lëvizjet pritet të mbeten të dendura edhe në ditët në vijim, teksa emigrantët përfundojnë kthimin në Greqi pas pushimeve verore.
/vizionplus.tv





