Policia e Sarandës ka gjetur dhe sekuestruar thikën me të cilën dyshohet se u vra i riu portugez Luis Miguel Varela Mendes, në hotelin “Principote”.
Sipas të dhënave paraprake të grupit hetimor, arma e krimit është një thikë, e cila tashmë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Për vrasjen e të riut akuzohet Sokrat Vata, i cili është arrestuar nga policia.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se thika është gjetur në një zonë me ferra, në anë të një rruge rurale në periferi të Ksamilit. Ajo dyshohet se është hedhur aty menjëherë pas ngjarjes.
Sipas të njëjtave burime, kjo ka qenë edhe pika e fundit ku DJ-i i lokalit “Principote” ka lënë Sokrat Vatën. Pas daljes nga automjeti, Vata dyshohet se ka hedhur thikën në ferra dhe më pas është larguar me vrap.
Thika pritet të ekzaminohet nga ekspertët kriminalistikë për të përcaktuar nëse ka gjurmë që mund të lidhen me autorin dhe viktimën, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur të plotë dinamikën dhe motivin e ngjarjes së rëndë.
/vizionplus.tv





