Pronari i lokalit ku portugezi 20- vjeçar humbi jetën po kërkohet në tre qytete. Hetimet janë përqëndruar në Vlorë, Tiranë e Kukës, vendlindja e Bekim Bulicës. Në mënyrë intensive kërkohet edhe punonjësi i biznesit shqiptari me nënshtetësi britanike David Heurtevent, po ashtu nga Kukësi, por që banon në Vorë.
Kurse i dyshuari kryesor për vrasjen e turistit portugez në Ksamil, Sokrat Vata pritet të njihet me masën e sigurisë që do t’i caktojnë togat e zeza të premten. Vetë ai ka rrëfyer sesi ngjarja rrodhi deri në aktin fatal që i mori jetën 20 vjeçarit Luis Miguel Varela Mendes, i cili po pushonte prej një jave në vendin tonë me miqtë e tij.
Sipas 29 vjeçarit që punonte si roje private në lokalin “Principote” në jug të vendit sherri që nisi fillimisht mes turistëve nën efektin e alkoolit, agravoi deri në përleshje fizike pasi ata refuzuan t’i binden thirrjes së tij për të ruajtur qetësinë. Sokrat Vata tregoi se ishte portugezi ai që tentoi ta godiste atë me thikë, ndërsa ai iu kundërpërgjigj duke i marrë armën e ftohtë nga dora për ta qëlluar.
Megjithatë ky moment nuk është filmuar nga kamerat, për shkak të errësirës dhe të panikut që kaploi njerëzit në lokal.
29- vjeçari nga Hasi, Sokrat Vata u arrestua teksa po udhëtonte në bagazhin e një automjeti për tu fshehur në në Tiranë. Ai po tranportohej nga dy turq 31 vjeçarja Ezgi Perlak dhe Nuh Mahmutoglu, 38 vjeç, të cilët deklaruan në Polici se ishin klientë të rregullt të lokalit dhe kishin marrëdhënie shoqërore me Vatën.
Ndërkaq të përfshirë dyshohen edhe dy policë Miosid Matushaj, punonjës i Policisë së Kufirit në Gjirokastër dhe Romeo Shehu, punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër që në momentin e krimit nuk ndërhynë për ta parandaluar atë. Prokuroria i akuzon për “Moskallëzim të krimit” dhe “Mosmarrje të masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.





