Debate janë zhvilluar në këshillin bashkiak të Maliqit, ku ditën e sotme ishte parashikuar të merrej një vendim lidhur me shkrirjen e Bashkisë Maliq dhe bashkimin me Korçën.
Këshilltarët opozitarë kanë kërkuar të votohej kundër këtij drafti nga qeveria ndërsa këshilltarët socialistë janë shprehur se janë të paqartë me draftligjin dhe kanë kërkuar kohë për tu njohur me të.
Në një prononcim për mediat, deputetja e PD Ledina Alolli, e cila ishte prezente në mbledhje, u shpreh se qytetarët e Maliqit janë kundër shkrirjes së bashkisë.
Ajo shtoi se këshilltarët socialistë kishin ardhur në mbledhje me skenar të përgatitur nga Niko Peleshi, teksa shtoi se interesat partiake po prevalojnë mbi interesat e qytetarëve që i kanë zgjedhur.
“95% e qytetarëve janë kundër shkrirjes së Maliqit me Korçën. Sot ne prisnim që të merrnim një vendim. Por me një skenar të përgatitur nga drejtuesi i qarkut Niko Peleshi, nga Gëzim Topçiu vijnë këshilltarët dhe kërkojnë informaciuone të mëtejshme. Po çfarë informacione kërkojnë kur vetë Peleshi dhe Gëzim Topçiu kanë qenë në takim me kryeministrin Edi Rama. Kur je këshilltar bashkiak je aty për të përfaqësuar interesat e qytetarëve, janë ata që të kanë zgjedhur dhe nuk je për interesa partiake. Dhe sot, interesat partiake, prevaluan mbi ato të qytetarëve”, tha deputetja e PD Ledina Alolli.





