Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se deri në orën 14:00 në vend janë regjistruar 9 vatra zjarri, prej të cilave 6 janë ende aktive, 1 është nën kontroll dhe 2 janë në monitorim.
Në terren vijojnë operacionet e forcave zjarrfikëse dhe strukturave vendore, ndërsa Forcat e Armatosura janë angazhuar me 140 efektivë, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Dajti, Tiranë
Në zonën e Dajtit vijon operacioni për izolimin e zjarrit, me angazhimin e 50 efektivëve të Forcave të Armatosura dhe një helikopteri. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Priska është nën kontroll dhe në monitorim, ndërsa vatra në Vakumone është izoluar.
Gurë-Lurë, Dibër
Hapja e korridoreve ka mundësuar izolimin e zjarrit. Operacioni për shuarjen vijon me forcat operacionale, 30 efektivë të FA dhe dy avionë Air Tractor. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Qafë Helmës
Zjarri është fikur në krahun e Bulqizës, ndërsa mbetet aktiv në drejtim të Selishtës. Në terren janë angazhuar 11 zjarrfikës, 11 forca bashkiake dhe 5 vullnetarë.
Bruç, Mat
Në Bruç vijon operacioni në terren të vështirë, me mbështetjen e 30 efektivëve të Forcave të Armatosura. Ministria bën me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Lufaj, Mirditë
Vatra mbetet aktive, por paraqitet me intensitet të ulët dhe avancim të lehtë. Forcat operacionale janë pozicionuar pranë zonave të banuara për të garantuar ndërhyrje të menjëhershme në rast përkeqësimi të situatës.
Tërbun, Pukë
Në Tërbun vijon operacioni me një angazhim të gjerë të forcave në terren: 3 automjete zjarrfikëse, 9 efektivë të MZSH-së, 10 punonjës pyjorë, 40 forca vendore, 15 vullnetarë, 30 efektivë të FA dhe 2 helikopterë. Edhe këtu nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Situata nën monitorim të vazhdueshëm
Në tërësi, situata e zjarreve në vend vijon të jetë nën menaxhim, me disa vatra të izoluara ose nën kontroll. Përpjekjet kryesore janë përqendruar në Dajt, Lurë, Mat dhe Tërbun, ku janë angazhuar forca tokësore dhe mjete ajrore.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin dhe koordinimin me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.
Prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë, ndërsa kapacitetet operacionale vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri për ndërhyrje në çdo zonë ku do të jetë e nevojshme.





