Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar sërish gjuhën ndaj Iranit, ndërsa përpjekjet për të arritur një marrëveshje që do t’i japë fund luftës mes dy vendeve duket se kanë hyrë në një pikë kritike.
Duke folur nga Zyra Ovale, Trump tha se Teherani nuk po tregon gatishmëri për të pranuar marrëveshjen që sipas tij është e nevojshme për t’i dhënë fund konfliktit. Ai e bëri të qartë se objektivi kryesor i SHBA-së mbetet pengimi i Iranit për të zotëruar armë bërthamore.
“Irani nuk mund të ketë armë bërthamore. Nuk kam ndërmend të zgjas marrëveshjen e përkohshme të armëpushimit mes dy vendeve”, tha Trump.
Disa orë para deklaratës në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se Irani duhet të ngrejë flamurin e bardhë të dorëzimit.
Nga ana tjetër, edhe Teherani po sinjalizon një ndryshim të qasjes. Një zyrtar i lartë iranian i tha Reuters se vendi do të kalojë në një qëndrim ushtarak plotësisht ofensiv, pasi përpjekjet për të negociuar një fund të përhershëm të luftës kanë ngecur.
Përplasja diplomatike nuk kufizohet vetëm te SHBA-ja dhe Irani. Në qendër të tensioneve është edhe Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit energjetik në botë. Para shpërthimit të konfliktit, përmes saj kalonte rreth 20% e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.
Palët kishin rënë dakord që brenda 60 ditësh të përpiqeshin të arrinin një marrëveshje përfundimtare, përfshirë edhe çështjen e programit bërthamor iranian. Por ky afat përfundoi të hënën pa një rezultat konkret.





