Kaia Gerber ka bërë një rrëfim të pazakontë për fëmijërinë e saj, duke thënë se dikur iu nënshtrua një “ekzorcizmi”, pasi familja e saj besonte se ajo ishte “e pushtuar” ose “e përndjekur”. Modelja dhe aktorja 24-vjeçare foli për këtë histori gjatë një interviste në The Mitch Churi Chat Show.
Gerber, vajza e supermodeles Cindy Crawford dhe biznesmenit Rande Gerber, tregoi gjithashtu për përvojën e saj në sezonin e dhjetë të serialit horror American Horror Story. Ajo tha se nëna e saj i kishte dhënë ujë të shenjtë për ta marrë me vete në sheshxhirim, nga frika se mos “pushtohej” nga ndonjë entitet.
“Më thanë se isha e pushtuar që fëmijë. Isha e përndjekur, gjithë jetën time”, tha Gerber gjatë intervistës. Kur u pyet nëse kishte kryer vërtet një ekzorcizëm, ajo u përgjigj: “Në fakt, po”.
View this post on Instagram
Pjesa më e pazakontë e rrëfimit ishte mënyra se si, sipas saj, u krye rituali. “E dini si e bënë ekzorcizmin? Luajtën didgeridoo rreth e rrotull meje. Kështu e bënë ekzorcizmin”, tregoi ajo me një ton serioz. Didgeridoo është një instrument frymor tradicional me origjinë nga Australia.
E pyetur sërish nëse kjo ngjarje kishte ndodhur vërtet, Gerber këmbënguli se po: “Kjo ka ndodhur vërtet. Nuk kam folur kurrë për këtë, por kjo ka ndodhur vërtet”. Rrëfimi i saj ka tërhequr vëmendje për shkak të natyrës së pazakontë të historisë, të cilën modelja tha se nuk e kishte bërë publike më parë.
/vizionplus.tv





