Më shumë se 130 vite histori rrezikojnë të mbeten pas mureve të një godine të lënë prej vitesh në harresë. Bëhet fjalë për Shkollën e Vashave në Korçë, një prej godinave më të rëndësishme për historinë e arsimit shqip dhe emancipimit të gruas shqiptare.
Në vitin 1891, në këtë ndërtesë mësonin më shumë se 100 vajza. Shkolla u ngrit nga familja Qiriazi, një familje me kontribut të rëndësishëm në Rilindjen Kombëtare dhe në historinë e protestantizmit shqiptar.
Sot, godina është riblerë nga komuniteti ungjillor, i cili ka nisur ndërhyrjet e para emergjente për ta mbrojtur nga rrënimi.
“Hapja e një shkolle për vajza ishte vizioni i Gjerasim Qirjazi në bashkëpunim me Alexander Thomson, ish-skocez, erdhën rreth vitit 1890. Pas një viti blenë këtë godinë, është godina e parë e shkollës së Vashave në Korçë. Është kisha e parë ungjillore, vendi i parë ku u firmosën statutet e Vëllazërisë Ungjillore 1892, këtu ka banuar familja Qirjazi, Fineas Kenedi. Kjo shtëpi ka shumë vlerë për ne, kemi studiuar këtë vend”, tha David Hosaflook, nga “Institute for Albanian & Protestant Studies”.
Ndërtesa nuk ka qenë vetëm një shkollë. Ajo ka shërbyer si një prej qendrave të hershme të veprimtarisë ungjillore në Korçë dhe lidhet me episode të rëndësishme të historisë së qytetit dhe të Rilindjes Kombëtare.
“Ky objekt pavarësisht se është monument kulture ka qenë i pabesueshëm dhe gjendja është e tmerrshme. Ka nevojë për ndërhyrje urgjente. Vetëm ta mbrojmë. Në Tetor kemi 135 vjetorin e Shkollës së Vashave. Qëllimi dhe idea është të kthehet në muze, duam të bëjmë një muze shumë tërheqës për kombin shqiptar, nuk është bërë vetëm shkolla apo kisha, janë fshehur çetat, spital për të plagosurit, shumë gjëra ka patur këtu”, tha Hosaflook.
Punimet e para kanë nisur për të ruajtur godinën nga degradimi, ndërsa projekti synon që në të ardhmen ajo të kthehet në një muze të vizitueshëm.
Brenda saj pritet të ekspozohen dokumente, materiale dhe dëshmi që lidhen me Shkollën e Vashave, familjen Qiriazi, arsimin e vajzave dhe historinë e Rilindjes Kombëtare.





