“Një euro sot në tregun vendas po blihet për afro 92 lekë, ndërsa në shitje kushton vetëm 93 lekë. Ky zhvlerësim historik i euros duket se do të jetë i pandalshëm të paktën deri në përfundim të sezonit veror, kur flukset valutore në treg janë më të larta.”
Agjentët në treg, por edhe Banka e Shqipërisë, e shpjegojnë rënien e euros me të njëjtët faktorë: nga turistët e huaj që vijnë në Shqipëri dhe sjellin më shumë euro, nga prurjet e emigrantëve, por edhe nga investimet e huaja që futen në vendin tonë. Sipas ekspertëve, kur këto burime valutore hyjnë në një periudhë të shkurtër në ekonomi, presioni për forcimin e lekut bëhet i natyrshëm.
Për të menaxhuar situatën, e vetmja ndërhyrje e Bankës së Shqipërisë është duke blerë rreth 140 milionë euro gjatë tre muajve të parë të 2026, ndërsa deri në fund të vitit parashikohen të blihen deri në 450 milionë euro përmes ankandeve.
Pavarësisht rënies së vazhdueshme të monedhës së përbashkët, Banka Qendrore i qëndron parimit të regjimit të lirë në tregun valutor, pa përcaktuar një kurs fiks.Që nga fillimi i vitit 2026, të dhënat tregojnë se kursi i euros me lekun ka rënë me afro 4%.





