Fluks i lartë lëvizjesh është regjistruar gjatë 24 orëve të fundit në pikat kufitare të juglindjes së vendit, Qafë Thanë dhe Kapshticë, ku numri më i madh i udhëtarëve është shënuar në hyrje të territorit shqiptar nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia.
Në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Thanës janë përpunuar 7 mijë e 621 shtetas në hyrje dhe 4 mijë e 935 në dalje. Ndërkohë, në këtë pikë kanë hyrë 2 mijë e 454 automjete dhe kanë dalë 1 mijë e 973 mjete. Për të përballuar fluksin, sportelet kanë funksionuar në varësi të numrit të udhëtarëve, me qëllim shmangien e pritjeve të gjata.
Edhe në Kapshticë është shënuar një numër i lartë lëvizjesh. Gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në Shqipëri 5 mijë e 869 shtetas, ndërsa kanë dalë 4 mijë e 17 persona. Po ashtu, janë përpunuar 1 mijë e 752 automjete në hyrje dhe 1 mijë e 252 në dalje.
Autoritetet kufitare bëjnë me dije se fluksi i lartë lidhet me sezonin turistik dhe rikthimin e emigrantëve për pushime në Shqipëri. Sipas tyre, lëvizjet intensive pritet të vijojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim.





