Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja tragjike e ndodhur në Tushemisht të Pogradecit, ku humbi jetën 65-vjeçari Kristaq Çulaku, pasi u dëmtua aksidentalisht gjatë punimeve në banesën e tij.
Sipas informacioneve paraprake, Çulaku ishte duke përdorur një mjet prerës tip troko/fleksibël, kur për arsye që po hetohen u plagos rëndë. Edhe pse u transportua drejt spitalit, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Fqinjët, të tronditur nga ngjarja, tregojnë se kanë dëgjuar britmat e tij dhe kanë nxituar për t’i ardhur në ndihmë.
“Në mëngjes erdhi te unë dhe më tha se do të shkonte në Korçë. Më pas hyri në shtëpi dhe mori trokën, kishte diçka për të bërë. Kur dëgjuam që po bërtiste, vrapuam menjëherë. Ishte ende gjallë” rrëfen një nga fqinjet.
Një tjetër banore e zonës tregon se 65-vjeçari jetonte i vetëm dhe po mprehte një vegël pune në momentin e aksidentit.
“Jetonte vetëm. Po mprihte një thikë ose një drapër. Pastaj plasi bomba. Kur shkova, e gjeta të shtrirë. I hodha ujë, por nuk po përmendej. Erdhi infermierja e fshatit, ndërsa ambulanca u vonua shumë. Trupi i tij ishte i mbuluar me gjak,” dëshmon ajo.
View this post on Instagram
Policia ka nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit, ndërsa pritet edhe ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
/vizionplus.tv





