Qeveria ka vendosur të mbrojë Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë nga arresti dhe t’i japë imunitet. Në projektligjin e publikuar për konsultim, neni 72 i jep mbrojtje Guvernatorit dhe Zëvendësguvernatorëve, të njëjtë me atë që Kushtetuta u jep deputetëve dhe ministrave. Sipas këtij parashikimi ligjor, Guvernatori nuk mund të arrestohet dhe nuk mund t’i kontrollohet banesa pa marrë më parë autorizimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët nuk mund të arrestohen ose të privohen nga liria në ndonjë formë, as t’i nënshtrohen kontrollit personal apo të banesës, pa autorizimin e Gjykatës Kushtetuese, përveç rasteve kur kapen në flagrancë ose ndërsa janë në ndjekje menjëherë pas kryerjes së një krimi.”
Sipas këtyre ndryshimeve, Gjykata Kushtetuese duhet të shprehet brenda dy javëve ose, në të kundërt, kërkesa për autorizim konsiderohet e refuzuar.
Ajo që bie në sy është se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i jep mbrojtje nga arrestimi vetëm deputetëve dhe ministrave, ndërsa neni 161 për Bankën e Shqipërisë nuk parashikon imunitet për Guvernatorin.
Gjithashtu, nuk ka asnjë parashikim ligjor që Gjykata Kushtetuese të shërbejë si institucioni që jep autorizim për arrestimin ose jo të dikujt.
Në dy dekadat e fundit ka pasur një rast kur Guvernatori i Bankës së Shqipërisë është arrestuar në zyrë.
Në shtator të vitit 2014, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u arrestua me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pas skandalit të vjedhjes së rreth 7 milionë dollarëve nga një punonjës i Bankës. Por ish-guvernatori Fullani u shpall i pafajshëm me vendim të formës së prerë.
/vizionplus.tv





