Ish-drejtoresha e filialit të Postës në Durrës, Elisabeta Mataj, shefja e financës Valbona Hoti Duni dhe arkëtarja Paola Dana, janë vënë në pranga nga policia pasi dyshohen për shpërdorim detyre dhe abuzim me fondet.
Nga hetimet dyshohet se, gjatë muajve prill dhe maj 2026, të treja punonjëset kanë përvetësuar 69 milionë lekë të rinj, shumë e cila ishte planifikuar të arkëtohej nga filiali i Postës Shqiptare Durrës, për degët Shijak dhe Krujë, me qëllim shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave.
Dy ditë më parë, Posta Shqiptare njoftoi shkarkimin nga detyra të drejtueses së filialit në Durrës, pas zbulimit gjatë një kontrolli të brendshëm të parregullsive në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave, të cilat besohet se kanë shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore, të personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale shifra e të cilës mund të arrijë deri në 3 milionë euro.





