Shërbimi shëndetësor për pushuesit vijon në 36 Qendrat Shëndetësore Verore në të gjithë vendin. Për herë të parë këtë sezon turistik po zbatohet kuadri i tarifave për shërbime të caktuara shëndetësore vetëm për turistët e huaj.
Gjatë inspektimit në Qendrën Shëndetësore Verore në Lezhë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, theksoi se tarifat nuk prekin në asnjë rast qytetarët shqiptarë.
“Një risi që kemi implementuar këtë vit është pagesa e disa shërbimeve shëndetësore nga turistët e huaj. E theksoj edhe njëherë, vetëm për turistët e huaj, jo për shtetasit shqiptarë, për të cilët shërbimi vazhdon të jetë falas, siç ka qenë gjithmonë. Kemi vendosur disa tarifa të thjeshta, të cilat krijojnë mundësinë që qendrat shëndetësore të sigurojnë të ardhura dytësore”, tha Sala.
Të ardhurat nga këto tarifa do të përdoren nga vetë qendrat shëndetësore.
“Këto të ardhura do të përdoren nga vetë qendrat për të investuar në përmirësimin e shërbimeve dhe për të plotësuar nevojat më imediate që ato kanë”, tha më tej.
Që nga nisja e sezonit turistik, mbi 17 mijë pushues kanë marrë shërbim në këto qendra, ndërsa rreth 21% e tyre kanë qenë turistë të huaj. Një tjetër risi është pajisja e të 36 Qendrave shëndetësore verore me sistemin e pagesave elektronike.
/vizionplus.tv




