Shkrimtarja dhe poetja Mimoza Ahmeti ka sqaruar për herë të parë arsyen pse refuzoi të lexonte poezitë e saj gjatë natës finale të Ferma VIP, duke theksuar se nuk mund të pranonte tekste që, sipas saj, nuk përfaqësonin bindjet dhe konceptet artistike.
Gjatë intervistës në QUO VADIS, Ahmeti zbuloi edhe një projekt të ri televiziv, duke bërë të ditur se në vjeshtë pritet të rikthehet në ekranin e Vizion Plus me një emision të ri.
Pjesë nga biseda:
Moza Ahmeti: Në një farë mënyre, Ferma do të vazhdojë në një formë tjetër, sepse, me dashamirësinë e saj, Holta Dulaku më ka propozuar që në shtator ose tetor të mendojmë të fillojmë një emision tek ju.
Borakaj: Nëse ka një gjë që unë e vlerësoj shumë te njerëzit, është aftësia për të thënë jo, stop, sepse kjo nuk është një gjë e imja, sepse kjo është një gjë që nuk më përket, sepse kjo është një gjë që nuk më pëlqen, sepse kjo është një gjë që nuk e dua. Është një aftësi e jashtëzakonshme. A fitohet kjo? Është karakteriale? Ta mëson njeri, apo të vjen me moshën dhe me jetën?
Moza Ahmeti: Në qoftë se ti nuk e thua atë të vërtetë ashtu siç është ajo, do të të vijë si goditje në një formë tjetër. Më mirë e thua aty ku duhet ta thuash, sesa pastaj të të vijë ndryshe. Poezia mund të ishte shumë… sepse më thanë që, për hatër të produksionit, të paktën t’i kishe lënë të lexoheshin. Por do të ishin poezi me koncepte që mund të ishin mizerabël dhe unë nuk e pranoja atë lloj koncepti. Do të ishin poezi që kapnin një aspekt për të cilin unë s’kam njohje. Pra, i dola përpara të keqes, për të mos u implikuar më tutje. Duket ndonjëherë sikur e vërteta është e tmerrshme, mbase edhe duhet mbajtur në raste të caktuara, por ai nuk ishte rasti. Nuk ishte rasti fare.
/vizionplus.tv





