Bilanci i viktimave nga dy tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën është rënduar ndjeshëm. Presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez, njoftoi se deri më tani kanë humbur jetën 589 persona, ndërsa 2.980 të tjerë janë plagosur.
Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet për gjetjen e të mbijetuarve nën rrënoja, të mbështetura edhe nga skuadra ndërkombëtare, mes tyre 80 shpëtimtarë nga Zvicra dhe ekipe ndihme nga Meksika.
Gjatë natës, ekipet lokale punuan në ndërtesat e shembura në Karakas dhe në shtetin La Guaira, ku një grua u nxor e gjallë nga rrënojat. Ndërkohë, dhjetëra familje vijojnë kërkimet për të afërmit e zhdukur.
Situata në spitalet e La Guairas mbetet kritike. Mjekët raportojnë se dy spitalet kryesore janë tejmbushur me të plagosur dhe përballen me mungesa të theksuara të furnizimeve mjekësore.
Dy tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 goditën vendin me vetëm një minutë diferencë mbrëmjen e së mërkurës. Tërmeti i dytë konsiderohet më i fuqishmi që ka goditur Venezuelën që nga viti 1900.





