Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka nisur një tur diplomatik në vendet e Gjirit Persik, në përpjekje për të qetësuar aleatët arabë pas marrëveshjes së brishtë të armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Zyrtari i lartë amerikan mbërriti në Abu Dhabi, ku do të zhvillojë takime me drejtuesit e Emirateve te Bashkuara Arabe, Kuvait dhe Bahrein.
Vizita vjen në një moment delikat për rajonin, ndërsa vendet e Gjirit po analizojnë pasojat e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Uashingtoni për uljen e tensioneve me Teheranin.
Megjithëse eksportet e naftës dhe lëvizja e anijeve në ngushticën e Hormuzit kanë nisur të rikthehen në normalitet, shqetësimet për sigurinë mbeten të pranishme.
Ndërkohë, Irani ka akuzuar disa vendet e lindjes se mesme se kanë mbështetur në mënyrë indirekte operacionet ushtarake amerikane gjatë përshkallëzimit të fundit të tensioneve.
Për administratën amerikane, misioni i Rubios synon të rikonfirmojë angazhimin e Uashingtonit për sigurinë e partnerëve të tij në Gjirin Persik, në një kohë kur po shqyrtohen mundësitë për një mirëkuptim më afatgjatë mes SHBA-së dhe Iranit.
Duke folur për mediat pas mbërritjes, Rubio theksoi se fokusi i Uashingtonit është konsultimi dhe jo bindja e partnerëve.
“Kemi marrëdhënie dhe partneritete afatgjata me tri vendet që po i vizitoj. Në të vërtetë jemi këtu më shumë për t’i dëgjuar ata sesa për të folur. Duam t’i dëgjojmë mendimet e tyre dhe të sigurohemi që pikëpamjet e tyre të merren parasysh në çdo vendim që marrim”, tha Rubio.
Për sa i përket marrëveshjes së fundmi presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur pretendimin e tij se Irani është pajtuar ta lejojë nivelin më të lartë të inspektimeve të objekteve të tij bërthamore, dhe se ato do të vazhdojnë për kohë të papërcaktuar.
“Nëse ata nuk do të ishin pajtuar për këtë, nuk do të kishte negociata të mëtejshme”, është shprehur Trump në rrjetet sociale.





