Rezultati i dalë nga procesi 9-vjeçar i vettingut duhet të ruhet përmes mekanizmave ligjorë që janë krijuar nga reforma në drejtësi. Kjo ishte qasja që bashkoi disa nga aktorët më të lartë të politikës dhe drejtësisë në ceremoninë e mbylljes së mandatit kushtetues të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Kreu i SPAK u shpreh se vettingu ripërtëriu sistemin dhe ndërtoi standarde të reja, duke ndikuar në besimin e qytetarëve te drejtësia.
“Për SPAK-un, vettingu ka pasur një rol të veçantë. Tashmë drejtësia përfaqëson interesin publik me profesionalizëm dhe paanshmëri. Institucionet e reja të dala nga reforma në drejtësi tashmë kanë pjekurinë e duhur. Tani duhet të ruajmë standardet që kemi arritur”, Kreu i SPAK, Klodian Braho.
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, përshëndeti procesin e gjatë dhe sfidues, i cili ka luajtur rol kyç në rezultate të prekshme dhe historike.
“Askush nuk është mbi përgjegjësinë dhe llogaridhënien, dhe pavarësia e gjyqësorit duhet të ecë krah për krah me etikën profesionale. Kjo nuk përbën fundin e reformës, por shënon nisjen e një faze të re. Ajo që vjen më pas është një provë edhe më e vështirë, që këto arritje të jenë të qëndrueshme në kohë‘, Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato.
Ndërkaq, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fjona Papajorgji, është e së njëjtës bindje, ndërsa nënvizon ndikimin që reforma në drejtësi ka në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Në përputhje me kuadrin kushtetues në fuqi, Gjykata Kushtetuese do të marrë përsipër kompetencat e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që lidhen me shqyrtimin e kërkesave që kanë të bëjnë me procesin e rivlerësimit. Kjo përbën një përgjegjësi të rëndësishme kushtetuese dhe institucionale”, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fjona Papajorgji.
Të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministrja, Albana Koçiu, dhe kryeparlamentari Niko Peleshi. Data 5 mars shënoi përfundimin e vettingut. 805 magjistratë dhe ndihmës ligjorë iu nënshtruan procesit të verifikimit, të bazuar në tri kritere: pastërtinë e figurës, pasurinë dhe aftësitë profesionale. Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka dhënë 417 vendime. Megjithatë, ky proces, që shkarkoi afërsisht gjysmën e magjistratëve, ka shkaktuar kosto për qytetarët, me rritjen e numrit të dosjeve dhe vakancave në sistemin gjyqësor.
/vizionplus.tv





