Në ditën që procesi i vetingut përfundoi, dy organet të cilat qeverisin sistemin e drejtësisë raportuan në Parlament problemet me të cilat përballet sistemi për shkak të vakancave të krijuara si pasojë e shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Këshilli i Lartë Gjyqësor raportoi se sot në sistem mungojnë 73 gjyqtarë dhe stoku i çështjeve mbetet shqetësues veçanërisht në Gjykatën e Apelit.
Para deputetëve të Komisionit të Ligjeve, kryetari i KLGJ Ilir Rusi deklaroi se në vitin 2028 është parashikuar që vakancat të plotësohen dhe i gjithë sistemi të jetë funksional.
“38 magjistratë diplomohen ne fund të qershorit, 20 pas një viti dhe 10 më vonë, pra për dy vitet e ardhshme plotësohen vakancat”, u shpreh Ilir Rusi.
Kryetari I KLGJ Rusi pranoi se çështja e stokut të dosjeve të pagjykuara është problem dhe aktualisht numri I dosjeve të pagjykuara është 145 mijë, 45 mije prej tyre janë çështje në apel.
“145 mijë janë dosje aktualisht të mbartura, po janë çështje burimesh njerëzore se janë shkarkuar 144 gjyqtarë”, shtoi më tej Rusi.
Edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë raportoi para deputetëve problemin e vakancave, duke vënë në dukje se një prokuror në Tirannë ka 600 dosje për të shqyrtuar
“Kemi numrin më të ulët të prokurorëve në europë. Eshte emeregjence kombetare të shtojmë numrin e prokuroreve”, u shpreh anëtari i KLP-së, Vatë Staka.
Në Shqipëri duhet të kishte 341 prokurorë, por për shkak të vakacanve të krijuara pas vetingut sot në sistem janë 245 dhe mungojnë 96 prokurorë.





