Nga Blerina Cene
Burg pa afat vendosi Gjykata e Posaçme për tre nga pesë personat e arrestuar të premten, si pjestarë të dy prej organizatave më të mëdha të narkotrafikut dhe pastrimit të parave. Kështu në qeli do të qëndrojnë Orest Sota, Orgest Birçaj dhe Dritan Aga. Edmond Jaupi u vendos në izolim shtëpiak, kurse u lirua në këmbim edhe të garancisë pasurore Gëzim Islami, për shkak të problemeve shëndetësore.
Masa e sigurisë ishte caktuar në orën 9:00 të mëngjesit për të rifilluar në 13:00, pasi avokatët e të arrestuarve kërkuan kohë të njihen me fashikujt hetimorë. Të pestë dyshohen si pjesëmarrës në organizatën e përbërë nga 20 persona dhe kanë bashkëpunuar me njëri tjetrin me role të ndara e të koordinuara.
Kurse Ilir Shtufi një prej njerëzve kyç në aktivitetin kriminal, u vu në pranga në Greqi, ku sipas autoriteteve helene mbërriti në shtetin fqinj vetëm disa orë pasi ndaj tij kishte dalë urdhërarresti i SPAK.
Autoritetet i kanë lidhur fijet përmes platfomrës SKY ECC dhe nga përgjimet telefonike, ku del zbuluar organizimi i trafikut ndërkombëtar të drogërave të dorta, menaxhimi i laboratorëve në Amerikën Latine, transporti i ngarkesave dhe shpërndarja e kokainës në tregjet europiane.
Paratë e pista të ardhura me burim kriminal janë investuar në pasuri të paluajtshme, projekte ndërtimi dhe shoqëri tregtare, thotë SPAK, konkretisht në zhvillimin e disa prej zonave më luksoze në vend. Skema mjaft komplekse e pastrimit të parave, tregon mekanizmin sesi miliona euro pastroheshin duke i injektuar në tregun e ligjshëm edhe përmessistemve informale të transferimit të parave.
Nga operacioni u sekuestruan 128 milionë euro, 18 vila, 336 llogari bankare, kompani, apartamente, automjete luksoze, prona në Tiranë, Palasë, Jalë e Himarë.





