Maturantët kanë lënë tashmë pas dy nga katër provimet e Maturës Shtetërore. Në prag të provimit të matematikës, shumë prej tyre po shfrytëzojnë ditët e fundit për konsultime intensive me mësuesit. Po aq i rëndësishëm sa vetë testimi është edhe procesi i vlerësimit të tezave. Rreth 650 mësues janë angazhuar në korrigjimin e provimeve.
“Vlerësimi bëhet nga dy mësues. Në rast se nuk bien dakord për pikëzimin, ndërhyn drejtuesi teknik”, tha Orjana Osmani, zv.ministre e Arsimit.
Maturantëve u njihet gjithashtu e drejta e ankimimit në rast se kanë dyshime për rezultatin e marrë.
“Mund të ketë ngritje të notës, mund të mos ketë ndryshim, por mund të ketë edhe ulje të vlerësimit”, shtoi Osmani.
Ndërkohë, provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë u shoqërua me një incident që riktheu vëmendjen te integriteti i procesit. Publikimi i tezës gjatë zhvillimit të provimit çoi në identifikimin e menjëhershëm të maturantit përgjegjës, i cili u përjashtua nga testimi. Zv.Ministria e Arsimit e konsideron rastin si provë të funksionimit të mekanizmave të kontrollit dhe paralajmëron masa të forta ndaj çdo tentative për të cenuar barazinë.
“Sigurisht, problematika ka pasur. Në provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë pati një dalje të tezës dhe menjëherë maturanti u identifikua dhe u përjashtua nga provimi”, tha zv.ministrja e Arsimit.
Sfida e radhës për maturantët do të jetë më 16 qershor, kur do t’i nënshtrohen provimit të Matematikës. Ndërsa më 23 qershor do të zhvillohet testi i fundit i Maturës Shtetërore, ai i lëndës me zgjedhje, duke mbyllur kështu një nga proceset më të rëndësishme për gjimnazistët.





