Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm mbrëmjen e kësaj të premteje në qytetin e Vlorës, ku ka zhvilluar një takim me banorët e Zvërnecit, pas protestave të fundit në vend.
Në takim, banorët kërkuan që të anulohet përkohësisht projekti, derisa gjykata të përcaktojë se e kujt është prona, e atij që e ka shitur apo e atyre që aktualisht pretendojnë pronësinë.
Rama tha se kjo nuk i takon qeverisë, por gjykatës, pasi është ajo që vendos çfarë është e drejtë dhe çfarë jo.
Pjesë nga biseda:
Banori: Pse nuk bëni një VKM për ta anuluar?
Rama: Qeveria nuk e ka fuqinë të vendosë për diçka që është në kompetencë të gjykatës. Po të hapej kjo rrugë, një vendim do të ishte i drejtë dhe të tjerat arbitrare. Prandaj demokracia i ka ndarë kompetencat: deri këtu është qeveria, pastaj është gjykata. Shteti nuk është vetëm qeveria.
Ne, për shembull, marrim vendime nga Gjykata Kushtetuese dhe ajo na thotë se çfarë duhet të bëjë Parlamenti, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese duhet të thotë vetëm çfarë ka bërë gabim Parlamenti. Ja pra që kjo është demokracia; kjo e jona është ende në formim.
Por kjo e pronave është një “bollori” e madhe, e cila vazhdon të shkaktojë trauma dhe pasoja. Nuk mund të vendosë qeveria: kjo pronë i takon këtij, kjo atij. Po ju them, në det e në det kanë dalë pronarë. Po pse nuk dolën pronarët te Skela, aty ka qenë det?
Banori: Por atë ju e zgjidhët?
Rama: Nuk kishin tituj, kishin AKTP. A e dini ju që i ka dalë trashëgimtar Teatrit të Butrintit? E imagjinoni dot t’i dalë Akropolit në Greqi një trashëgimtar? Çfarë t’ju them unë, ka dalë një trashëgimtar i Virgjilit.
Banori: Kur kryeministri im thotë çfarë të bëj unë, po unë çfarë të bëj?
Rama: Asgjë. Doni të bëni revolucion për ta kthyer ku ishte? Unë jam kundër. Ju doni atë “futi plumbin këtij, jepja atij tjetrit”. Shyqyr që iku ajo kohë.





