Rrugëtimi i vajzave të Miss Shqipëria në juglindje të vendit vijoi mes peizazheve magjepsëse të Pogradecit dhe zonave përreth, ndërsa përgatitjet për finalen e madhe hyjnë në fazën vendimtare.
Ndalesa e parë ishte në Drilon, një prej perlave turistike të zonës, ku konkurrentet realizuan foto dhe materiale promocionale, ndërsa shijuan nga afër natyrën e veçantë që e bën këtë destinacion kaq të dashur për vizitorët.
Më pas, vajzat vizituan Tushemishtin, një nga fshatrat më të njohur buzë liqenit të Ohrit. Mes panoramës së mrekullueshme liqenore, ato shijuan edhe momente relaksi, duke përfituar nga mikpritja dhe atmosfera e qetë e Drilonit.
Pas vizitave, konkurrentet u rikthyen në Hotelin, ku u akomoduan, për t’iu rikthyer më pas përgatitjeve për spektaklin final.
Ndërkohë, dita e dytë e qëndrimit të tyre nisi me një vizitë në Bashkinë e Pogradecit, ku u pritën në një atmosferë miqësore dhe u njohën më nga afër me qytetin që po mirëpret finalen e këtij edicioni.
Udhëtimi vijoi drejt Linit, një prej destinacioneve më të veçanta historike dhe turistike të rajonit. Konkurrentet vizituan mozaikët paleokristianë dhe Kishën e Shën Kollit, duke zbuluar vlerat kulturore dhe shpirtërore që mbart kjo trevë e lashtë.
Ndërsa emocionet rriten nga dita në ditë, edhe përgatitjet në Amfiteatrin e Pogradecit vijojnë me ritme intensive. Skena po merr formë gradualisht, ndërsa konkurrentet punojnë me përkushtim për të dhuruar një spektakël dinjitoz dhe plot surpriza në natën e madhe finale.
/vizionplus.tv





