Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, gjatë një vizite në burgun e Pojskës në Pogradec, ku me rastin e 1 Qershorit shumë gra që vuajnë dënimin u takuan me fëmijët e tyre, tha se drejtësia duhet të jetë e pranishme jo vetëm përmes ndëshkimit dhe dënimit, por edhe përmes rehabilitimit.
Në këtë kuadër, ai tha se shumë shpejt do të ketë të reja në lidhje me amnistinë.
“Unë besoj se ky është një lajm i mirë për familjet, por gjithashtu kemi edhe një lajm tjetër që lidhet me amnistinë. Besoj se shumë shpejt projektligji që është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë do të nisë diskutimin dhe besoj se do të bëhet realitet në javët në vijim.Detajet e amnistisë do të diskutohen në ditët në vijim, pasi projektligji do t’i nënshtrohet një diskutimi të gjerë në komisionet parlamentare. Megjithatë, ajo që mund të them që tani është se krimi i organizuar dhe korrupsioni do të jenë ndër kategoritë që nuk do të përfshihen në amnisti.Amnistia është një instrument i politikës penale që, mbi të gjitha, ka një dimension njerëzor. Nga njëra anë, ne do të sigurojmë që ligji të vazhdojë të ndëshkojë ato fenomene dhe vepra penale për të cilat shoqëria jonë ka krijuar tashmë një konsensus të qartë.Nga ana tjetër, do të ruajmë fytyrën njerëzore të drejtësisë, duke synuar rehabilitimin dhe riintegrimin e kategorive më të ndjeshme, veçanërisht të moshuarve, personave të sëmurë, grave dhe prindërve me fëmijë.”
Ministri foli edhe për shqetësimet e ngritura nga institucioni i Avokatit të Popullit për kushtet në institucionet e vuajtjes së dënimit.
“Po i kushtojmë shumë vëmendje raporteve të Avokatit të Popullit. Kemi marrë në shqyrtim të gjitha vërejtjet dhe rekomandimet e Avokatit të Popullit, por edhe ato të organizmave ndërkombëtarë.Së bashku me drejtorin e përgjithshëm dhe të gjithë ekipin, jemi duke punuar për të përmirësuar kushtet në çdo institucion, veçanërisht në ato ku shërbimi mjekësor është i domosdoshëm dhe ku personat vuajnë dënimin në kushte që kërkojnë kujdes të specializuar shëndetësor.Objektivi ynë është që këto institucione t’i afrojmë me standardet evropiane. Jemi duke punuar intensivisht dhe besoj se shumë shpejt do të kemi lajme konkrete në këtë drejtim.Synimi është që standardi evropian të mos mbetet vetëm në dokumentet dhe kapitujt që negociojmë me Brukselin, por të jetë një realitet i përditshëm që përjetohet në institucionet tona dhe në shoqërinë shqiptare.”
I pyetur për mbipopullimin në burgje, Gogu tha se numri i të paraburgosurve është më i lartë se ai i të dënuarve me vendim të formës së prerë, por se kjo është një problematikë e njohur, që lidhet edhe me vendimmarrjen gjyqësore.
/vizionplus.tv





