Besimtarët myslimanë festojnë këtë të mërkurë Kurban Bajramin. Dita e sakrificës dhe durimit nisi herët në mëngjes me faljen e namazit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Kreu i Komunitetit Musliman, Bujar Spahiu, iu drejtua besimtarëve me një urim për festën e Kurban Bajramit, ndërsa theksoi rëndësinë e unitetit, solidaritetit, respektit dhe dinjitetit ndaj njëri-tjetrit.
“Kurban Bajrami është festa që na mëson të largohemi nga egoizmi, urrejtja, padrejtësia dhe indiferenca ndaj njëri-tjetrit. Në këtë ditë të shenjtë, Allahu na kujton në Kuranin Famëlartë: ‘O ju njerëz, ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni me njëri-tjetrin. Më i miri te Allahu është ai që është më i devotshëm’. Ky ajet është një mesazh i madh për të gjithë: të jetojmë me respekt dhe me dinjitet ndaj njëri-tjetrit”, tha Spahiu.
Në përfundim të ceremonisë besimtarët e shumtë të mbledhur me këtë rast shkëmbyen mes tyre urimet e kësaj dite.
Kurban Bajrami është një nga festat më të rëndësishme për besimtarët muslimanë, një kohë e shenjtë për adhurim, falënderim dhe solidaritet.
Gjatë kësaj dite besimtarët që kanë mundësi, bëjnë kurban. Mishi shpërndahet një pjesë për familjen, një për të afërmit dhe një pjesë për të varfrit.
Festa shoqërohet gjithashtu me vizita familjare dhe ndihmë ndaj njerëzve në nevojë.





