Vota e 40 mijë demokratëve që e rikonfirmuan në krye të Partisë Demokratike, për Sali Berishën është shembulli i një procesi të lirë dhe bën dallimin me forcat e tjera politike.
Më anë të një reagimi në rrjetet sociale, Berisha sqaroi se zgjedhjet për kryetarin e PD të zhvilluara të shtunën u bazuan tek anëtarësia.
“Në Shqipëri janë dy parti të mëdha. Partia Demokratike i zgjedh drejtuesit bazuar në demokracinë direkte dhe voton me parimin “një anëtar, një votë” në çdo proces zgjedhor. Kurse PS-ja, apo partia e krimit, ka zëvendësuar votën e anëtarëve me emërimin dhe fuqinë e krimit”, tha Berisha.
Kreu democrat ironizoi edhe mazhorancën, që sipas tij diktohet vetëm nga një person, kryeministri Edi Rama.
“Kjo është e vërtetë kudo në botë, por jo në diktatura. Në diktaturat totalitare apo autoritare kryetari është Zeusi, e për Zeusin nuk votohet; dhe kjo ndodh edhe në Shqipëri me partinë-krim”, shtoi Berisha.
Berisha kritikoi ashpër qeverinë dhe mazhorancën, duke i akuzuar për lidhje me krimin, ndërsa ka shtuar se opozita, sipas tij, po përballet me sulme të vazhdueshme politike dhe mediatike.





