Numri i lartë i çështjeve të pashqyrtuara nga gjykatat përplasi sot në Parlament kryetarin e Komisionit për Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj, me kryetarin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi.
Xhafaj theksoi se stoku i dosjeve është shkaku kryesor pse qytetarët nuk kanë besim te sistemi i drejtësisë, duke vënë në dukje se vakancat në sistem nuk janë i vetmi shkak për këtë situatë.
“Më është krijuar një perceptim që shumë ditë pune në gjykata humbasin për shkak të mungesës së pranisë në gjykata dhe eventeve të ndryshme që organizohen në kohën e punës, në një kohë që kjo është prioritet absolut”, tha Fatmir Xhafaj, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen Institucionale.
Xhafaj reagoi edhe ndaj ankesës së Këshillit të Lartë Gjyqësor për ambiente të reja, pasi, sipas Ilir Rusit, harta e re gjyqësore dhe krijimi i një gjykate apeli për të gjithë vendin kanë krijuar probleme infrastrukturore.
“A ishit ju aty kur u miratua harta gjyqësore? A nuk e dinte KLGJ-ja që nuk kishte Gjykatë Apeli? Pse nuk e bëtë me periudhë tranzitore ju? Kam qenë kundër hartës gjyqësore, pikërisht për këtë. I kam thënë KLGJ-së: ju mund ta bëni këtë, por me fazë tranzitore, sepse nuk keni infrastrukturën për ta mundësuar këtë gjë. Por insistonit. E doni mendimin tim përse insistohej? Për t’u bërë vend disa anëtarëve të KLGJ-së në atë moment për të kaluar në Apel”, u shpreh Fatmir Xhafaj, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen Institucionale.
“Nëse nuk ka mjedise të mjaftueshme… nëse do ta kishim 100% të sistemit gjyqësor me gjyqtarë, nuk do të kishim hapësirë për të marrë frymë, e jo më për të punuar”, tha Ilir Rusi, kryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Kryetari i KLGJ-së raportoi në Parlament se vakancat në sistemin gjyqësor, të krijuara si pasojë e procesit të vetingut, pritet të plotësohen në vitin 2028.





