Tirana i është bashkuar thirrjeve për dënimin e sjelljeve brutale ndaj aktivistëve pro-Palestinës, mes të cilëve edhe një shqiptar. Ata u gjunjëzuan e u lidhën, e më pas u përbuzën nga ministri Izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir. Përmes një deklarate zyrtare, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i cilësoi pamjet tronditëse.
“Imazhet e ndara nga ministri Itamar Ben-Gvir që tregojnë trajtimin poshtërues të aktivistëve të ndaluar të flotiljes janë tronditëse dhe të papranueshme. Të gjithë personat e ndaluar duhet të trajtohen me dinjitet dhe në respekt të plotë të të drejtave të njeriut, ligjit ndërkombëtar dhe ligjit humanitar”, thuhet në reagimin e ministrit Hoxha.
Tirana zyrtare bëri të ditur gjithashtu se Ambasada Shqiptare në Tel Aviv është udhëzuar të mbajë kontakte të vazhdueshme me autoritetet izraelite për të garantuar ndihmën konsullore për qytetarët shqiptarë, sipas nevojës.
Më herët, kryeministrja italiane Giorgia Meloni e dënoi ashpër trajtimin e aktivistëve, duke e quajtur atë shkelje të dinjitetit njerëzor. Ajo kërkoi lirimin e menjëhershëm të qytetarëve italianë të ndaluar dhe një kërkim falje nga Izraeli.
Ngjarja ka shkaktuar reagime edhe brenda vetë Izraelit, ku kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ministri i Jashtëm Gideon Saar u distancuan nga veprimet e Ben-Gvir, duke deklaruar se sjellja e tij nuk përfaqëson vlerat e Izraelit. Sipas raportimeve më të fundit, shumica e aktivistëve të Flotiljes humanitare për Gazën po depërtohen nga Izraeli drejt vendeve të tyre, kryesisht përmes Turqisë. Autoritetet turke kanë nisur organizimin e fluturimeve speciale për kthimin e qytetarëve të ndaluar.





