Duke filluar nga kontrolli i qumështit pluhur e deri tek analizat në laboratorë inteligjentë si pjesë e rëndësishme e procesit të integrimit, AKU gjatë një konference me operatorët e industrisë dhe përpunimit të qumështit, vuri theksin te masat që po ndërmerren në kuadër të sigurisë ushqimore.
“Disa nga prioritetet janë lënda e parë, ku kemi parë problematika dhe nga ana e ministrisë ka filluar aplikimi në pikat kufitare për identifikimin e mostrave jashtë standardeve. Shqetësimi i dytë që na vjen është sa i përket laboratorëve, që jo vetëm të jenë brenda standardeve të BE-së. Ka filluar implementimi i 7 laboratorëve, ku 4 janë plotësisht të rinj, si dhe kemi marrë një nismë me ministrinë për rritjen e profesionistëve në këto laboratorë”, tha kryeinspektorja e AKU-së, Blerina Gjylameti.
Inspektorët do të zbresin në terren për të mbledhur mostrat nga 253 operatorë të prodhimit dhe përpunimit të qumështit.
“Është bërë skanimi i parë dhe pas kësaj duhet një vlerësim nga AKU për të verifikuar edhe njëherë standardet e produkteve të këtij sektori. Duhet të kemi një proces sa më real për inspektimin dhe një proces që të vlerësohet pozitivisht nga trupat audituese të Bashkimit Europian. Jemi ende në hapin e parë, ndërsa në hapin e dytë do të kemi një raport përfundimtar nga të gjithë operatorët e përpunimit dhe grumbullimit të qumështit”, tha Gjylameti.
Tregu europian po na pret, por sipas sekretarit të përgjithshëm të shoqatës “Bashkimi i prodhuesve shqiptarë”, Arben Shkëmbi, bizneset shqiptare nuk janë ende gati për këtë proces.
“Analiza që kemi bërë ne është, për shembull, një akt për lëvizjen e lirë të mallrave ka 40 pika, akte ligjore dhe nënligjore. Të ngrejë dorën kush nga ju i ka lexuar këto akte që do të kontrollohen nga 20 inspektorate të ndryshme. Jam i sigurt që asnjë biznes në Shqipëri nuk i ka të detajuara brenda kompanisë këto detyrime që vijnë nga 16-18 kapituj”, tha Arben Shkëmbi,
sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”.
Këto masa janë në kuadër të reformës që nisi në fillim të vitit nga ana e Autoritet Kombëtar të Ushqimit për të garantuar siguri si për produktet ushqimore që qarkullojnë brenda vendit, por dhe ato që shkojnë për eksport.





