Shqipëria do të jetë pjesë e familjes europiane, pavarësisht sfidave. Kryeministri Rama, gjatë firmosjes së marrëveshjes për financimin e bizneseve të vogla dhe të mesme me BEI, u shpreh se vendi nuk ka plan B përveç integrimit.
“Pse vazhdojmë të këmbëngulim të bëhemi pjesë e BE-së? Kam një përgjigje tjetër dhe ajo është se nuk ka alternativë tjetër. Shqipëria kurrë nuk ka pasur një plan B dhe çdo plan tjetër është një plan pa liri individuale dhe pa barazi përballë ligjit. Nuk duam të imagjinojmë që mund të kthehemi në atë kohë. Kohët kanë ndryshuar për shumë arsye, por thelbi është aty: ekziston vetëm një qytetërim ku duam të jetojmë dhe ai është Bashkimi Europian. Liria nuk mjafton, sepse mund të kërcënohet në mungesë të sundimit të ligjit dhe duhen njohuritë që, si në BE, askush tjetër nuk i ka”, tha Rama.
Financimi prej 20 milionë eurosh, pjesë e nismës së re të qeverisë “Dyfisho biznesin tënd”, do të përdoret në sektorë prioritarë si teknologjia dhe digjitalizimi, aty ku, sipas Ramës, vendi ka bërë progres të vazhdueshëm.
“Jemi gjithashtu krenarë që kemi kryer transformimin e prokurimeve publike, që nga ekspertët e Komisionit Europian shihet si sistemi më i mirë i prokurimit publik në Ballkanin Perëndimor. Po pres me padurim të rrisim bashkëpunimin me Bankën Europiane të Investimeve dhe, siç ju informova, kemi edhe një bankë të re zhvillimi të sapothemeluar”, tha kryeministri.
Nisma “Dyfisho biznesin tënd” do të jetë një linjë e re financimi që do t’u ofrohet bizneseve shqiptare me norma të favorshme interesi, edhe pse nisma paraardhëse, garancia sovrane me një fond shumë herë më të madh, deri më tani nuk prodhoi rezultatin e dëshiruar.





