Turistë aventurierë nga Çekia kanë zgjedhur lumin Shkumbin dhe natyrën shqiptare për të kaluar pushimet e tyre mes packrafting, kampingut dhe eksplorimit të zonave malore. Grupi i turistëve, që prej rreth 10 vitesh viziton Shqipërinë, këtë herë po zhvillon një aventurë me “packrafting” përgjatë lumit, duke përshkuar segmente deri në 20 kilometra.
“Do të qëndrojmë dhjetë ditë në Shqipëri dhe katër ditë në Maqedoni. Këtu do të lëvizim me pacrafting maksimumi deri në 20 kilometra. Niveli i ujit është rritur pas shiut, kështu që nuk do të vazhdojmë, është zonë e vështirë, ka shumë, shumë gurë. Në Shqipëri unë kam qenë në lumenjtë: Kir, Shalë, Fan i Madh, Fan i Vogël, Drin i Bardhë, Drin i Zi, Korab (lart në Korab), Maja e Jezercës.”
Turistët çekë shprehen se Shqipëria mbetet për ta një vend i egër dhe autentik, ku mund të realizosh aktivitete të ndryshme në natyrë, nga kajaku e deri te kampingu në male.
“Sot është dita jonë e parë në Shqipëri. Tani duam të zbresim përgjatë lumit Shkumbin. Ka një urë të vjetër dhe një zonë pak të rrezikshme, prandaj do të ndalojmë përpara asaj pjese.”
“Mbrëmë fjetëm në një fshat të vogël, Selcë. Ka hotele të mira me ushqim tradicional. Na pëlqen shumë Shqipëria. Do të donim ta vizitonim përsëri në të ardhmen dhe të mësonim më shumë për historinë lokale.”
“Shqipëria për ne është ende si një vend i egër. Ka gjithçka që dëshiron të bësh. Mund të bësh kajak, kamping, çfarë të duash male, natyrë, gjithçka është e mundur këtu. Ju jeni ndryshe nga ne. Por ajo që është shumë e mirë është mikpritja.”
Çekët thonë se dëshirojnë të rikthehen sërish në Shqipëri për të zbuluar më shumë nga historia dhe natyra shqiptare.
/vizionplus.tv





