Në Tiranë është mbajtur Samiti Shqipëri-Izrael, ku janë bërë bashkë 40 kompani inovative izraelite me synimin për të garantuar sigurinë kibernetike dhe për të forcuar ekonominë e Shqipërisë dhe rajonit përmes teknologjisë së avancuar.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili gjatë fjalës së tij vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, duke i cilësuar ato si një partneritet të ndërtuar mbi vlera të forta njerëzore dhe mirënjohje historike.
Rama kujtoi vizitën e parë të një personaliteti izraelit në Shqipëri, ish-ministrit të Jashtëm Shimon Peres, ndërsa ndau edhe një mesazh që, sipas tij, nuk e ka harruar kurrë. “Nuk mund t’ju jap këshilla, por një kujtesë: mund të bësh omëletë nga një vezë, por nuk bën dot një vezë nga një omëletë”, tha Rama, duke e lidhur këtë shprehje me historinë e transformimeve dhe sfidave të Shqipërisë ndër vite.
Kryeministri theksoi se marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Izraelit duhet të forcohet çdo ditë e më shumë, ndërsa nënvizoi faktin se për hebrenjtë, Shqipëria ka qenë dhe mbetet një shtëpi e sigurt.
Rama:
“Jemi shumë të lumtur që jeni këtu dhe mund të shohim ç’mund të bëjmë më tej së bashku.
Personaliteti i parë izraelit që vizitoi Shqipërinë ishte Shimon Peres, ministër i Jashtëm. Dhe dikush e pyeti: “Vini nga një vend i vogël, me një histori që në disa pjesë ngjan me historinë tonë. Çfarë këshille do të na jepnit?”
Ai tha diçka që nuk do ta harroj kurrë. Ai tha: “Nuk mund t’ju jap këshilla, por një kujtesë: mund të bësh omëletë nga një vezë, por nuk bën dot një vezë nga një omëletë.”
Historia jonë e ndryshimit dhe e ulje-ngritjeve ka qenë histori e të bërit omëleta dhe përpjekjeve për të nxjerrë vezë prej tyre. Kemi bërë gabime, kemi mësuar nga gabimet, jemi përpjekur të bëjmë më mirë.
Unë besoj te kjo marrëdhënie, që unë dëshiroj të forcohet dita-ditës me vendin tuaj dhe popullin tuaj.
Për hebrenjtë, Shqipëria është shtëpi.
Ka një gjë që është absolutisht e sigurt: nuk ka antisemitizëm në Shqipëri dhe hebrenjtë janë gjithmonë të mirëpritur. Kemi parë rritjen me 700% të vizitorëve hebrenj në Shqipëri. Është më shumë se 700% e një shifre që ishte në zero.
Kemi më në fund një fluturim të drejtpërdrejtë. Shpresojmë që të kemi edhe më shumë shkëmbime dhe vajtje-ardhje me ju. Ndihuni si në shtëpi. Ne duam të mësojmë prej jush që të bëhemi më të mirë.”





