Nga Blerina Cene
Kriteret e reja të paraburgimit të ndryshuara me vendim të datës 4 maj nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë pritet të sjellin një reformim në konceptimin e togave të zeza të masës shtrënguese të lirisë arrest në burg.
Praktika e re unifikuese, që u ndryshua me vendim unanim të 16 gjyqtarëve të lartë, i detyrojnë gjykatat të marrin parasysh personalitetin e personit të dyshuar dhe jo veprën penale apriori. Avokati penalist Altin Kaziaj qartëson sesi do të funksionojë konkretisht kjo metodologji e re.
“Ne nuk do të ndryshojmë ndonjë kërkesë ne thjesht do t’i kërkojmë më përgjegjshmëri gjykatës. Nuk jemi në një procedurë të re, jemi në një vendimmarrje unifikuese që detyron gjykatat më të ulëta që të orientohen në bazë të kësaj vendimmarrjeje, të mos selektive dhe subjektive, por vetëm objektive. Shpeshherë prokurorët, organi i akuzës, kur shohin që ligjvënësit ka parashikuar dënime me nga dhjetë vjet heqje lirie gjykatat janë të orientuara shpesh që të japin arrest në burg”, thotë avokati Altin Kaziaj.
Megjithëse parimi për caktimin e masës arrest në burg, është ndryshuar, kostoja mund të jetë e madhe, nëse të paraburgosurit fitojnë në Strasburg kur godasin vendimmarrje të shtetit shqiptar.
“Shteti shqiptar është një shtet recidivist në vendimmarrjet kundër tij të sanksionuara që janë bërë nga gjykata europiane e të drejtave të njeriut. Jo vetëm në çështje të karakterit penale, në ato që janë masat e sigurimit personal, por edhe në çështje pronash. Deri diku funksionon jo si shtet, por si çifligar i mirëfilltë që ka rreth vetes persona ndëshkimtarë, që ndëshkojnë të tjerët pa pasur aty një analizë të mirëfilltë se cilat mund të jenë pasojat e ndëshkimit të tyre. Jemi ne taksapaguesit që paguajnë “haraçet” dhe qokat që bën shteti shqiptar”, sqaroi avokati.
Tanimë të dyshuarit do duhet t’i konsiderohet historiku familjar, nëse ka rekorde të mëparshme kriminale nëse paraqet rreziqe konkrete nëse i dyshuari lihet me një masë më të butë. Ndërkaq, gjykata do duhet të përligj motivet pse nuk e ka lënë një person nën hetim apo të një të pandehur në një masë më të butë sigurie.





