Puna e bërë nga Shqipëria për Prokurimet publike, sipas kryeministrit Rama, është vlerësuar me nota pozitive nga Bashkimi Europian. Sa i përket kësaj fushe, nënvizoi Rama, vendi ynë cilësohet si pjesë e unionit pasi Brukseli nuk ka dhënë piketa të ndërmjetme.
“Në prokurimet publike ne jemi pjesë e BE-së. Pra Shqipëria, në këtë fushë nuk ka piketë të ndërmjetme. Piketat e ndërmjetme, janë piketa për çështje dhe tema që shkojnë përtej procesit normal të anëtarësimit dhe i kemi shpjeguar që lidhen me pikërisht me faktin që shtetet negociojnë, që Shqipëria negocion”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh më tej se synohet që tenderat të mos bëhen më në ministri, por të zhvendosen te pushteti vendor.
“Pra ministritë dhe ministrat nuk kanë asnjë lidhje me tenderat dhe një pjesë e madhe e tenderave të spostohen hap pas hapi edhe nga agjencitë kryesore por edhe nga pushteti vendor, tek pushteti vendor sipas zgjedhjes së tyre”, tha shefi i qeverisë.
Në konferencën për mediat, kreu i qeverisë preku dhe çështjen e raportit të IBAR, për të cilin u shpreh se vendi ynë nuk është pjesë e tryezës por në emrin tonë negocion Komisioni Europian.
“Komisioni është dakord që ne i kemi plotësuar 100% të gjitha detyrat për të marrë dritën jeshile për të hyrë në fazën e re, që është ajo e mbylljes së kapitujve. Kjo që po ndodh në Bruksel në këtë kohë, është tërësisht brenda parashikimeve, nuk ka absolutisht asgjë nga çfarë i është rrokanisur koka popullit shqiptar: bllokua, doli ky, doli ai”, tha Rama.
Nuk i kurseu as kritikat ndaj opozitës, që sipas Ramës ka kërkuar që vendit tonë t’i bllokohen negociatat.
“Nuk kemi parë të vijë ndonjë forcë e brendshme nga një vend tjetër që ka negociuar me BE-në apo që është në proces për të hapur negociatat, dhe të kërkojë me gjithfarëlloj argumentesh dhe me gjithfarëlloj të zezash që të bllokohet vendi nga vjen.”
Kryeministri Rama lajmëroi gjithashtu se do të krijohet kompania simotër e AKSH-it, e cila do të jetë 100% shtetërore, e cila do të ndihmojë vendin të ecë përpara në procesin e integrimit.





