Durrësi vijon të mbetet një nga qytetet me kërkesën më të lartë për blerjen e apartamenteve. Interesi për tregun imobiliar në qytetin bregdetar është rritur ndjeshëm vitet e fundit, jo vetëm nga vendasit, por edhe nga shtetas të huaj që po e shohin Durrësin si një mundësi të mirë investimi dhe jetese.
Pas një periudhe ngadalësimi, tregu i pasurive të paluajtshme ka rifituar ritëm, i ndikuar nga procesi i rivlerësimit të pronave dhe veçanërisht të apartamenteve.
Sipas agjentëve të tregut, çmimet e apartamenteve pritet të vijojnë rritjen edhe në muajt në vazhdim.
Apartamentet në Durrës po kërkohen nga familje të punësuara në sektorin publik dhe privat, sipërmarrës, si dhe nga të huaj që zgjedhin qytetin bregdetar për të jetuar apo investuar.
Përfaqësues të agjencive të tjera imobiliare thonë se hyrja në fuqi e rivlerësimit të pronave ka sjellë rigjallërim të tregut imobiliar.
“Në dy muaj janë kryer afro 9000 aplikime në gjithë vendin (2000 në Durrës), duke sjellë vetëm për shtetin arkëtime në vlerën 30 milionë euro”, thot Florian Tahiri, pronar agjenci imobiliare.
Zonat më të preferuara në Durrës për ata që kërkojnë të blejnë prona vazhdojnë të jenë zona e ish-Vollgës, qendra e qytetit, si dhe zona turistike Shkëmbi i Kavajës-Qerret, me çmime që variojnë nga 1200 deri në 2500 euro/m2.
/vizionplus.tv





