E premte, 27 Nëntor 2026 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Sociale

“Tradhtia fillon që te flirti”, a është besnikëria çështje karakteri apo zgjedhjeje?

Tradhtia në një marrëdhënie, arsyet që i shtyjnë njerëzit drejt saj dhe kufiri mes flirtit dhe tradhtisë fizike e emocionale ishin në fokus të diskutimit në emisionin “Takohemi n’Vizion”, në Vizion Plus, nën moderimin e Fjodora Fjorës.

Të ftuarit Ervin Dervishi, trajner biznesi, Dea Toçi, avokate, Bruno Shemsho, influencer, Valbona Miekly, psikologe dhe Gazmend Ujkashi, kozmetolog, ndanë këndvështrimet e tyre mbi besnikërinë dhe arsyet që mund të çojnë në tradhti.

Diskutimi u zhvillua edhe në kontekstin e një studimi me mbi 12 mijë meshkuj, në të cilin psikiatri Dr. Hans Müller pretendon se tradhtia nuk është instinkt mashkullor, por lidhet me çrregullime mendore ose tipare narcisiste.

Ervin Dervishi argumentoi se tradhtia mund të nisë që në momentin e flirtit, pasi sipas tij, aty fillon të cenohet besimi mes partnerëve.

Reklamë

 “Tradhtia fillon që te flirti. Supozohet që ne kemi një marrëdhënie besimi. Kjo marrëdhënie besimi thyhet që te etika, morali. Në atë moment quhet mini tradhti. Kur vazhdon me hapa të mëtejshëm është fillimi. Nëse përfshihesh edhe emocionalisht, pastaj duhen marrë masa. Flirti është njerëzor. Instinkti i tradhtisë vjen edhe për arsye të tjera psikologjike. Shumica e sjelljeve të një njeriu janë psikologjike”, tha Dervishi.

Një këndvështrim tjetër solli kozmetologu Gazmend Ujkashi, i cili shprehu skepticizëm ndaj analizave psikologjike për këtë fenomen, duke iu referuar edhe sjelljes së kafshëve në natyrë.

 “Unë nuk bazohem te psikologët. Kur një psikolog jep mendime ose bën këto testimet, kam frikë. Ai robi gjithë jetën është marrë me psikologji të të tjerëve edhe është bërë edhe vetë për psikolog. Gjithmonë psikologët duhet të analizojnë botën shtazore. Në botën shtazore vetëm disa specie bëhen çift dhe qëndrojnë gjithë jetën”, tha Ujkashi.

Ndërsa avokatja Dea Toçi e cilësoi tradhtinë çështje karakteri dhe përgjegjësie personale, duke theksuar se dëshirat mund të jenë njerëzore, por zgjedhjet i bëjnë vetë individët.

 “Unë e konsideroj çështje karakteri sepse instinktivisht mund t’i vijë kujtdo dëshira. Por kjo na ndan nga kafsha. Në momentin që jemi në një marrëdhënie me një person, vendosim që këto instinkte, edhe nëse janë, t’i zerojmë. Përndryshe do të tradhtohej kushdo me këdo”, tha avokatja.

Gjatë diskutimit, Dervishi solli edhe raste të çifteve që zgjedhin të qëndrojnë bashkë pavarësisht tradhtisë, duke përmendur si arsye edhe fëmijët dhe jetën e dyfishtë që mund të ndërtojnë partnerët.

“Dikush mund të tradhtojë për 1001 arsye. Ka çifte që janë rënë dakord të rrinë bashkë për hir të fëmijëve dhe bëjnë jetë të dyfishtë”, tha Dervishi.

Nga ana tjetër, psikologia Valbona Miekly vuri në pikëpyetje idenë se çiftet mund të bien hapur dakord për një marrëdhënie të tillë, duke argumentuar se shumë prej këtyre rasteve mbeten të fshehta.

“Ku ke dëgjuar ti çifte që bien dakord me njëri-tjetrin? Nëse janë plot, janë në atë fshehtësinë që ne nuk i njohim”, tha ajo.

Influenceri Bruno Shemsho solli në diskutim edhe marrëdhëniet që ndërtohen mbi interesa të përbashkëta, duke theksuar se për disa njerëz fama dhe paratë mund të marrin përparësi ndaj dashurisë.

“Në momentin kur dashuria që ke është për interesa të përbashkëta, në këtë moment bën një pakt. Ka njerëz që e zgjedhin, ka plot që e zgjedhin. Ata që janë të dashuruar pas famës dhe lekut”, tha Shemso.

Në përfundim, avokatja Dea Toçi u ndal te përvoja e saj profesionale, duke theksuar se kur çiftet mbërrijnë te avokati, diskutimi zakonisht përqendrohet te pasuria, fëmijët dhe pasojat e ndarjes, ndërsa arsyet që kanë çuar në krizën e marrëdhënies shpesh mbeten në plan të dytë.

“Në momentin që vijnë tek unë ka mbaruar çdo gjë. Kur vijnë tek avokati flasin për ndarjen e pasurisë, fëmijët, kush do t’i rrisë, çfarë do paguajnë. Nuk flasim se çfarë i ka vrarë”, tha Toçi.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.