Qeveria gjermane ka hedhur poshtë propozimin e presidentit rus Vladimir Putin që ish-kancelari Gerhard Schröder të ndërmjetësojë në negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, deklaroi se Rusia i njeh personat përgjegjës në Europë për çështjet e negociatave dhe se ekziston tashmë një kornizë e qartë ndërmjetësimi.
“Nëse Moska dëshiron seriozisht negociata, atëherë dihet kush përfaqëson palën europiane”, tha ai.
Sipas Berlinit, Europa duhet të ketë rol të drejtpërdrejtë në çdo proces paqeje dhe nuk mund të lihet jashtë vendimeve për të ardhmen e Ukrainës dhe sigurinë europiane.
Propozimi i Putinit ka shkaktuar reagime të ndryshme në Gjermani. Partitë e Gjelbërve dhe e Majta e kundërshtuan hapur idenë, duke theksuar se Schröder nuk ka më besueshmëri në Europë për shkak të lidhjeve të tij të afërta me Kremlinin.
Brenda Partisë Socialdemokrate (SPD), ku bën pjesë edhe Schröder, pati qëndrime të ndara. Disa deputetë kërkuan që çdo ofertë për paqe të shqyrtohet seriozisht, ndërsa të tjerë e cilësuan propozimin si manovër politike të Rusisë.
Nga ana tjetër, partia e ekstremit të djathtë AfD u shpreh e hapur ndaj mundësisë që ish-kancelari gjerman të luajë rol ndërmjetësues.
Ndërkohë, një zëdhënës i Gerhard Schröder deklaroi se ish-kancelari nuk do të komentojë mbi këtë çështje.





