Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro nënshkroi këtë të mërkurë marrëveshjen e bashkëpunimit me fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore. Sipas ministres Kumbaro, kjo nismë synon të shndërrojë institucionin që administron jo vetëm provimet kombëtare por edhe të gjithë shërbimet kryesore arsimore në një strukturë autonome.
“Vjen si nevojë e natyrshme për t’u zgjeruar dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm në kapacitete dhe organizim administrativ, por në një qasje të re që përtej mureve e sallave, reformon shërbimet dhe modernizon sistemet duke iu përgjigjur ritmeve që na dikton koha digjitale në arsim dhe çdo sektor tjetër.
Për nga ndjeshmëria institucionale, përgjegjësia publike dhe nevoja për standardizim, gjurmueshmëri, transparencë e integritet, së bashku me zgjerimin e vazhdueshëm të portofolit të shërbimeve, na kërkon një sistem më të modernizuar, i cili i përgjigjet standardeve ndërkombëtare dhe nevojave të arsimit në vend”, tha Mirela Kumbaro, ministre e Arsimit.
I pranishëm në ceremoni, ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili iu përgjigj skeptikëve për krijimin e agjencisë dhe bashkëpunimin me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
“Qendrës Shqiptare të Shërbimeve shpreh kënaqësinë time për këtë kala tjetër që ra dhe ju dorëzua ekselencës, ashtu si të gjitha kalatë që kemi marrë ca nga jashtë e ca nga brenda për t’ia dorëzuar ekselencës, që gjithmonë Fondi ka sjellë dhe është përpjekur të sjellë në vazhdimësi në Republikën e Shqipërisë”, u shpreh kryeministri Edi Rama.
Deri më tani ishte Qendra e Shërbimeve Arsimore që ofronte rreth 158 mijë shërbime në vit për arsimin, ndërsa tashmë me krijimin e saj, Agjencia Kombëtare e Shërbimeve Arsimore, do të mbajë përgjegjësinë për këtë paketë shërbimesh.





