Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u kërkoi deputetëve që të fokusohen tek protesta që do të zhvillohet të premten, në 8 maj.
Berisha shfrytëzoi mbledhjen e grupit për tu kërkuar deputetëve që në 48 orët e ardhshme të përqendrohen tek organizimi i protestës kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë socialiste.
“U bëj thirrje që çdo minutë, çdo orë t’ia kushtojmë përgatitjes së këtij akti të kryengritjes paqësore të 8 majit, Të dëshmojmë se ne nuk pranojmë kurrë Edi Ramën, qeverinë e tij si të ligjshme, nuk ka asnjë legjitimitet për shkak të zgjedhjeve që ka rrëmbyer, për shkak të vjedhjeve me të cilat është kapur”, tha Berisha.
Berisha zgjodhi që për të dytën ditë radhazi t’i japë jehonë raportit të komitetit të jashtëm të Parlamentit Evropian. Sipas Berishës ky dokument është i rëndësishëm pasi tregon të vërtetën për situatën në Shqipëri. Berisha veçoi këtë herë rekomandimet për parlamentin.
“Kërkon fuqizimin e komisioneve parlamentare, kushte pune, jo mbajtjen e dokumentacionit, mosdhënien e dokumentacionit deputetëve. Ne, kemi bërë dhe do bëjmë çdo përpjekje për të përmbushur misionin tonë. Ne nuk tërhiqemi. Ne nuk bojkotojmë se gjithë qëllimet e këtyre akteve të paimagjinueshme që kanë kryer këta gjer sot kanë qenë që ne të braktisim parlamentin”, shtoi Berisha.
Berisha, duke u nisur nga rekomandimet e parlamentit evropian për SPAK-un, premtoi sërish se nuk do të votojë asnjë nismë që cenon pavarësinë e Prokurorisë së Posaçme.
“Kërkon pavarësinë e SPAK-ut, dhe burime të përshtatshme, zgjerimit të kapaciteteve hetimore dhe mosminimin e punës së tij. Ja ku jemi këtu, të deklarojmë publikisht se në mënyrë absolute nuk ekziston asnjë shans që ne të marrim një votim apo një bashkëpunim me Edi Ramën për të dobësuar veprimtarinë apo për të ndryshuar ligjet për organet e drejtësisë. Jo”, tha Berisha.
Kryetari i PD Berisha premtoi se ky dokument do të jetë program pune për PD dhe opozita do të zbatojë detyrimet e saj. Por në këtë dokument Parlamenti Evropian thekson se protestat e dhunshme nuk kanë vend në demokraci, e mbetet për tu parë se çfarë do të bëjë PD në protestën e 8 majit.





