PROTESTA/ 11 të arrestuar, mes tyre 2 të mitur! Në pranga një 33-vjeçar pas sulmit në Komisariatin Nr. 3

Policia e Tiranës ka arrestuar 11 persona dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 7 të tjerë, në vijim të hetimeve për veprimet e kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar në kryeqytet. Mes të arrestuarve janë edhe dy të mitur.
Në një njoftim zyrtar, Policia bën me dije se në kuadër të veprimeve hetimore janë arrestuar në flagrancë 9 shtetas të rritur dhe dy të mitur, ndërsa 7 persona të tjerë do të hetohen në gjendje të lirë.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 kanë identifikuar dhe ndaluar një 33-vjeçar, me inicialet E. K., i dyshuar për dëmtimin me sende të forta të ambienteve të këtij komisariati gjatë tubimit të zhvilluar tri ditë më parë.
Sipas Policisë, gjatë incidenteve, persona të ndryshëm dyshohet se kanë sulmuar punonjësit e Policisë dhe godinën e Komisariatit Nr. 3 me lëndë piroteknike, gurë dhe bomba molotov. Si pasojë, në godinë janë shkaktuar zjarr dhe dëmtime materiale, ndërsa janë dëmtuar edhe 10 punonjës policie.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Të dyshuarit po hetohen për një sërë veprash penale, mes tyre shkatërrimi i pronës, shkatërrimi i pronës me zjarr, goditjet për shkak të detyrës, organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme, kundërshtimi i punonjësve të Policisë, prishja e qetësisë publike dhe shkelja e rregullave për lëndët plasëse e djegëse.
Hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjeve dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë vijojnë.




