Ish-kryetari i parlamentit dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste Servet Pëllumbi, i cili u nda nga jeta një ditë më parë, u përcoll këtë të mërkurë për në banesën e fundit.
Homazhet për ish-kryeparlamentarin u mbajtën në Teatrin e Operës dhe Baletit teksa familjarë, miq dhe figura të ndryshme politike i dhanë lamtumirën.
Djali i tij, ish-deputeti socialist Arben Pëllumbi, e cilësoi largimin e babait si një boshllëk, megjithatë u shpreh se figura e Servet Pëllumbit do të mbetet gjithmonë.
“Fjala e tij, prania, këshillat do të na shoqërojnë përgjithmonë. Sot jam krenar që jam djali i tij, për familjen që na la dhe vlerat. Ai do të jetojë gjithmonë te ne”, tha Pwllumbi.
Ndonëse kishin qëndrime të kundërta, për kryeministrin Edi Rama ish-eksponenti socialist ishte një figurë që duhej vlerësuar.
“Profesori përfaqësonte gjithçka që unë nuk simpatizoja, konservator, marksist-leninist, e të gjitha ato që e shoqëronin figurën e tij kur vinte fjala për sulmet dhe etiketimet që i bëheshin. Ka qenë një nga mësimet më të çmuara të gjithë këtij rrugëtimi përballja me realitetin e njeriut përtej etiketimeve dhe kronizimit të tij në sferën publike dhe për surprizën time kam njohur një njeri shumë progresist, një njeri dashamirës”, tha kreu i qeverisw.
Miku i tij, ish-deputeti socialist Namik Dokle, tregoi dhe sfidat e Servet Pëllumbit gjatë kohës kur dha kontributin e tij në politikë.
“Ka drejtuar Partisë Socialiste gjatë kohës që burgosën Fatos Nanon. Ka drejtuar parlamentin me sfidat dhe vështirësitë e veta. Ishte një figurë që ruante integritetin”, tha Dokle.
Homazhet për Servet Pëllumbin bashkuan të majtët dhe të djathtët, teksa të gjithë nuk i kursyen vlerësimet për ish-kryeparlamentarin.
Pas homazheve, kortezhi u shoqërua për në varrezat e Sharrës. Servet Pëllumbi njihet si një nga deputetët më jetëgjatë të Kuvendit të Shqipërisë. Në vitin 2002 ai u zgjodh kryetar i Parlamentit, post të cilin e mbajti deri në vitin 2005.





