Flamurtari vazhdon të jetë dominues absolut në basketbollin e femrave në vendin tonë.
Vlonjatet u shpallën kampion kombëtar pasi e mbyllën serinë e finaleve kundër Partizanit me rezultatin e pastër 3 me 0. Suksesi në ndeshjen e tretë në Vlorë 76 me 55 i vuri vulën një sezoni të mrekullueshëm për vajzat bregdetare.
Vendaset krijuan një avantazh prej 8 pikësh që në periodën e parë duke mbajtur këtë ritëm pak a shumë edhe në vijim, ndaj pjesa e parë u mbyll 39 me 29. Pas pushimit, Flamurtari luajti sërish më mirë, duke e thelluar diferencën dhe duke mbyllur periodën e tretë 57-38.
Në 10 minutat e fundit, loja mbeti nën kontrollin e tyre, derisa gjithçka u mbyll me 21 pikë avantazh, me Partizanin që u dorëzua pa kushte, çka i dha jetë një feste të madhe nga tifozët vendas në Vlorë. Kapitenia Muçenji ngriti lart trofeun më të rëndësishëm kombëtar, ndërsa më e mira e finales u shpall Gedeon e Flamurtarit.
Trajnerja Elona Hasanaj dhe kapitenia Muçenji e cilësuan këtë titull si një arritje fantastike.
Flamurtari ishte dominues në këtë sezon, pasi veç kampionatit kishte fituar edhe kupën bashkë me superkupën. Për vlonjatet ky ishte trofeu i 27 kampion në historinë e basketbollit shqiptar, teksa në 6 vitet e fundit kanë fituar 5 kampionate. Mirëpo ky titull në këtë sezon shijoi edhe më shumë, pasi Flamurtari e mbylli pa asnjë humbje.





