Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita, zhvilloi takime me strukturat e drejtorive vendore të Policisë Korçë dhe Elbasan.
Gjatë takimeve, Hita hodhi kritika të forta duke thënë se në të dyja këto qarqe është bërë punë e pamjaftueshme në parandalimin e goditjeve tëë armëmbajtjes pa leje, shitjes së lëndëve narkotike dhe kapjes së shtetasve në kërkim.
Hita kërkoi angazhim maksimal për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, krimeve mjedisore, si dhe për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë.
Hita kishte dhe një porosi për policinë rrugore në këto dy qarqe duke kërkuar që të mos ndalojnë automjetet pa shkak në akset kryesore nacionale, por nga ana tjetër të ndëshkojnë parkimet e gabuara që bëhen burim aksidenti ose pengojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe këmbësorëve.
Me kritika të forta Hita u shpreh dhe për policinë kufitare në Korçë ku theksoi se është bërë një punë e pamjaftueshme për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare në tërësi, si dhe goditjen e trafiqeve dhe të ndihmës për emigrantët e paligjshëm që tentojnë të përdorin territorin e Shqipërisë, si vend transit drejt shteteve të Bashkimit Europian.
Kreu i Policisë së Shtetit u kërkoi vartësve që mos të shpërfillin asnjë ankesë të qytetarëve, por të marrin seriozisht denoncimet e tyre për çdo lloj problematike.





