E hënë, 19 Tetor 2026 Lajme Ora 15:00 dhe Moti deri në 15:40 Në vijim ora 15:40: Fat i Hidhur Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

“Ditë e madhe për Shqipërinë”, Balla në GJKKO për të dëshmuar për dosjen ‘Partizani’

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste e Shqipërisë, Taulant Balla, është paraqitur në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku pritet të dëshmojë në lidhje me dosjen “Partizani”, në cilësinë e kallëzuesit.

Në një deklaratë për mediat para se të hynte në ambientet e Gjykatës, Balla u shpreh se i qëndron plotësisht kallëzimit të tij dhe theksoi se politikanët duhet të mbështesin punën e SPAK-ut dhe drejtësisë së re, të cilën e cilësoi si instrument në luftën kundër korrupsionit.

Reklamë

“Kjo është një ditë e madhe për Shqipërinë që në bankën e të akuzuarve gjenden një ish-kryeministër, ish-president për korrupsion. A kanë bërë politikanët korrupsion në Shqipëri? Padyshim që kanë bërë korrupsion dhe ajo që kthyem në 2016, kur miratuam drejtësinë e re, me votën e të gjithëve dhe me votën e atij që ndodhet sot në bankën e të akuzuarve, që do vijë një ditë në Shqipëri kur politikanët do të gjenden në bankën e të akuzuarve për korrupsion”, tha Balla. 

Ai shtoi se besimi i qytetarëve tek drejtësia është rritur dhe se procesi i reformës në drejtësi e ka afruar Shqipërinë më shumë me Bashkimin Evropian, ndërsa shprehu pritshmëri që negociatat të përmbyllen brenda vitit 2027.

Reklamë

Lidhur me kallëzimin e tij, Balla u shpreh se e mbron atë “fjalë për fjalë”.

“Unë besoj se shqiptarët kanë sot më shumë besim te drejtësia dhe drejtësia është një institucion që po forcohet dita-ditës. Ajo që mendoj unë është që politikanët që vijnë këtu duhet të mbështesin drejtësinë, të mbështesim punën e lavdërueshme të prokurorëve të posaçëm që po çmontojnë korrupsionin në Shqipëri.

Atëherë po e them dhe njëherë që nga viti 1912, kur shqiptarët bënë shtetin e parë, Shqipëria nuk ka qenë më afër Europës sa është sot dhe arsyeja që jemi më afër Europës është reforma në drejtësi që ka kthyer besimin te drejtësia. Konfirmojnë dita-ditës që Shqipëria po bën hapa të lavdërueshëm dhe t’ju konfirmoj që pritshmëria në 2017 të mbyllim negociatat dhe në 2030 të ngrejmë flamurin e Shqipërisë në oborrin e BE-së është e vërtetë. Unë do të përgjigjem për çdo gjë që të më pyesin. I qëndroj kallëzimit tim”, tha Balla. 

Në seancën e sotme në GJKKO janë thirrur 8 persona, Taulant Balla, Afrim Tole, Isa Tare, Bujar Labinoti, Albert Xhani, Paro Laçi, Dhurata Çela dhe Petrit Kullolli.

Vazhdo të lexosh

Reklamë