Ambasada e Zvicrës reagon për protestat në Shqipëri: Ulni tensionet dhe i jepni përparësi dialogut

Ambasada e Zvicrës në Shqipëri ka reaguar për dhunën dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private gjatë protestave të fundit në vend. Përmes një deklarate, pala zvicerane shpreh shqetësimin për përshkallëzimin e situatës dhe u bën thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje, të ulin tensionet dhe t’i japin përparësi dialogut konstruktiv.
Në deklaratë, theksohet rëndësia e së drejtës për tubim paqësor si një element thelbësor i një shoqërie demokratike. Ambasada u bën thirrje autoriteteve shqiptare të garantojnë mbrojtjen e kësaj të drejte dhe të lirisë së medias, ndërsa kërkon që forcat e sigurisë të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
“Zvicra është e shqetësuar për shpërthimin e fundit të dhunës dhe shkatërrimin e pronës publike e private gjatë demonstratave në Shqipëri.
U bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje, të ulin tensionet dhe t’i japin përparësi dialogut konstruktiv. E drejta për tubim paqësor është thelbësore për një shoqëri demokratike.
U bëjmë thirrje autoriteteve që të garantojnë dhe mbrojnë plotësisht të drejtën për tubim paqësor, si dhe lirinë e medias; u bëjmë thirrje forcave të sigurisë që të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, thuhet në deklaratë.




