Austria, Çekia dhe Sllovakia mbështesin Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në Bashkimit Europian.Në një deklaratë të përbashkët për mediat nga Tirana, ministrat e jashtëm të tre vendeve të unionit theksuan se Shqipëria ka hapur grupkapitujt në një kohë rekord dhe se ky ritëm duhet të vijojë edhe për përmbylljen e tyre por me kusht që reformat të jenë frytdhënëse.
“Gjithçka bazohet tek meritokracia. Ju keni bërë një punë të mirë sa i përket procesit të integrimit por duhet të fokusoheni dhe tek miratimi i reformave. Përkthimi i ligjeve nuk duhet të bëhet vetëm në letë, ajo duhet të zbatohet në terren”, tha ministrja për Çështjet Evropiane të Austrisë, Beate Meinl-Reisinger.
“Ju keni bërë një punë të mirë. Republika cceke qëndron krahë Shqipërisë në këtë proces, i cili nuk është aspak i lehtë”, u shpreh ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, Petr Macinka.
“Hapja e grupkapitujve u bë në një kohë rekord dhe kjo tregon shumë për vullnetin që ju keni sa i përket procesit të anëtarësimit”, tha ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës Sllovake, Juraj Blanár
Kryediplomati shqiptar Ferit Hoxha vuri theksin tek hapja e piketave të ndërmjetme, të njohura ndryshe si IBAR.
“Jemi plotësisht të angazhuar për të ruajtur këtë ritëm të fortë dhe presim përmbushjen e IBAR sa më shpejt në një periudhë të afërt, duke hapur rrugën për fazën e ardhshme të negociatave, atë të mbylljes së kapitujve, për të cilën kemi punuar në mënyrë intensive dhe jemi pregatitur paralelisht”, tha Ferit Hoxha, ministër i Jashtëm i Shqipërisë
Tre minitrat vizituan Tiranën, me ftesë të shefit të diplomacies shqiptare.





